Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se akuzat për haraçin “janë shpikur prej oponentëve për të arritur caqe politike”. Tek këto akuza të kundërshtarëve, siç thotë ai, “shihet shkalla e poshtërisë”, ndaj paralajmëron se kushdo që e akuzon për haraç, krim dhe vrasje politike, do të ballafaqohet me gjykatën. “S’duroj më”, ka thënë Haradinaj tek Zona e Debatit e Klan Kosovës, përball gazetarit Baton Haxhiu. Sipas tij, qershori dhe shtatori janë datat më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Ndërsa, kur është fjala tek urimi i fitores për të parin e Pejës, që Ali Berisha ia ka bërë Gazmend Muhaxherit të LDK-së, Haradinaj thotë se kjo dëshmon se “Aleanca është demokraci”. “Tekefundit, ka qenë edhe një borxh moral, se edhe Muhaxheri e ka bërë të njëjtën më herët”, ka thënë i pari i AAK-së, i cili shton se nuk e fsheh mërzinë për rezultatin e AAK-së në zgjedhjet e fundit. “Por, do të punojmë më mirë”.
0 comments:
Post a Comment